Kisha Adventiste në Shqipëri

Kisha Adventiste në Shqipëri u themelua në Tiranë në vitin 1992, pas fushatave ungjillizuese të pastorit Australian David Currie, duke u shoqëruar kështu me formimin e komuniteteve dhe grupeve të para të besimtarëve në vend. Kisha u organizua si institucion i lidhur drejtpërdrejt me Divizionin Trans-Europian të kishës Adventiste botërore në vitin 1994, e quajtur në atë kohë “Misioni Shqiptar i Kishës Adventiste (MSHKA)” , dhe në vitin 1999 sëbashku me Kishat Adventiste në Slloveni dhe Kroaci u bënë entitetet themeluese të “Konferencës së Unionit Adriatik” (KUA), me seli qendrore në Zagreb.

Kishat adventiste në rang botëror kanë një rrjet prej 7,500 shkollash, duke përfshire mbi 100 institucione universitare, një numër të madh spitalesh dhe shtëpish botuese, sikurse edhe organizatat humanitare të njohura si ADRA (Adventist Development and Relief Agency).

Në këtë mënyre edhe Kisha Adventiste në Shqipëri është pjesë e familjes mbarëbotërore të Kishës Adventiste të ditës së shtatë me qendër në Silver Spring, Washington DC, SHBA, me zyrat qendrore për Europën në St.Alban, Londër, Angli si dhe zyrat qendrore rajonale në Zagreb, Kroaci.